oraeshqipes

"Mirë se vini" dhe jo "Mirësevini"

Administrator Administrator Postuar: 5 Prill, 2024

0 Shikime

Komente


"Mirë se vini" dhe jo "Mirësevini"

"Mirë se vini" dhe jo "Mirësevini"

Shkollat shqiptare, institucione të dijes, ende e shkruajnë gabim urimin e mirëseardhjes për nxënësit, pas gjysmëshekulli jetë nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Koha për ta rikujtuar këtë rregull, me shpresën se banderolat nëpër shkolla e dogana do të shkruhen saktë dhe bukur!

Ne “mirëpritemi” gabim në gjuhën shqipe!

Kur udhëton nga një vend tjetër drejt vendit tënd, krahas mallit dhe emocionit që po shkel në tokën tënde, se më në fund arrin të dëgjosh shqip dhe të komunikosh në gjuhën tënde, emocionet t’i mbytin tabelat me shprehje pasthirrmore të mirëseardhjes të shkruara gabim.

Teksa pret në sportelin e doganës për procedurat e nevojshme, para syve të shfaqet tabela e zverdhur, që të uron “Mirësevini në Republikën e Shqipërisë!”. Këtë shprehje e has edhe nëpër xhamat e sporteleve të doganës dhe befas të lind pyetja: pse kaq pak rëndësi i është kushtuar gjuhës nëpër institucione të rëndësishme shtetërore?! Pse tabelat e vendeve të tjera, që të uronin mirëseardhjen, ishin të shkruara saktë, kurse te ne plot me gabime drejtshkrimore?

Bën metrat e parë drejt tokës sate dhe një zile në telefon të njofton për një mesazh të ardhur. Është kompania celulare, që të uron mirëseardhjen, po me gabime drejtshkrimore: “Miresevjen ne vendin e shqiponjave....”

Bën kilometrat e parë në brendësi të vendit tënd, kalon para qyteteve, që u paraprin një tabelë po e shkruar gabim: "Mirësevini në qytetin X!". Por më trishtuese se këto tabela, janë banderolat e varura në hyrjen e shkollave me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, institucione ku merren dijet bazë të gjuhës shqipe, që urojnë: “Mirësevini nxënës të dashur!”

Drejtshkrimi ynë po bën gjysmë shekulli jetë dhe askush nuk e merr mundimin që të konsultohet me të, kur do të shkruajë një tabelë, banderolë, njoftim, reklamë etj., etj.

Atëherë, sipas rregullave të gjuhës shqipe, shprehjet pasthirrmore që shprehin përshëndetje, urime, falënderime, ngushëllime shkruhen ndaras, pasi pjesët përbërëse të tyre e ruajnë pavarësinë kuptimore!

Dhe kemi “Mirë se vini! Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë mbetsh! Qofsh mirë! Ju bëftë mirë! Për shumë vjet!

KUJDES! Këto lokucione shkruhen bashkë vetëm kur marrin veçoritë e emrit, (dhe për t'i dalluar, ato kanë një përdorim të rrallë). P.sh.: I uroi mirëseardhjen. Fjala e mirëseardhjes. Darka (dreka) e mirëseardhjes. Në shenjë mirëseardhjeje etj.


Përgatiti S. Agolli



Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj